Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania), në kuadër të projektit ‘Zbardhja e Pasurisë së Paligjshme në Sistemin Gjyqësor Shqiptar’ me mbështetjen financiare të Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SH.B.A.-së në Tiranë, do të organizojë një trajnim mbi teknikat e gazetarisë investigative në sistemin e deklarimit të pasurisë.
Përmes kësaj thirrjeje për shprehje interesi, BIRN Albania kërkon të angazhojë 10-12 gazetarë nga të gjitha rajonet e vendit që të marrin pjesë në këtë trajnimin mbi gazetarinë investigative që do të zhvillohet më datën 9 Mars 2016 në Tiranë.
Prezantimi i trajnimit:
Ky trajnim ka për qëllim të ofrojë një guidë të metodave dhe teknikave bazë të gazetarisë investigative, si dhe njohuri më të thelluara mbi sistemin e deklarimit të pasurisë në Shqipëri. Ai synon të ngrejë njohuritë dhe aftësitë e gazetarëve për të ndjekur në mënyrë më sistemike çështjet e konfliktit të interesit dhe fshehjes së pasurisë, me focus të veçantë në profesionistët e sistemit gjyqësor në vend.
Kujt i drejtohet ky trajnim:
Trajnimi i drejtohet gazetarëve shqiptarë të cilët janë të interesuar për të thelluar njohuritë e tyre mbi teknikat e gazetarisë investigative dhe sistemin e deklarimit të pasurisë. Gazetarët që jashtë Tiranës janë të inkurajuar të aplikojnë. BIRN Albania do të mbulojë kostot e udhëtimit për të gjithë pjesëmarrësit nga rrethet.
Objektivat e trajnimit:
Objektivat e trajnimit janë që pjesëmarrësit:
1. Të thellojnë njohuritë mbi sistemin e deklarimit të pasurisë në Shqipëri;
2. Të përmirësojnë aplikimin e teknikave dhe metodave të gazetarisë investigative në këtë fushë.
Procedura e aplikimit:
Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë një CV dhe një letër shprehje interesi në adresën e e-mailit: [email protected]. Aplikimet për këtë trajnim përfundojnë të dielën, datë 6 Mars. Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen menjëherë pas kësaj date.
Mbështetja e pjesëmarrësve:
Gazetarët pjesëmarrës në këtë trajnim do të marrin pjesë në një konkurs, me anë të të cilit BIRN Albania përmes një jurie të pavarur do të përzgjedhë ide-propozime për 5 investigime dhe 5 analiza të thelluara në fushën e deklarimit të pasurisë në gjyqësor. Këto artikuj do të mbështeten financiarisht nga BIRN Albania dhe përmes mbështetjes teknike të stafit të saj do të botohen në dy mediat online: BalkanInsight.com dhe Reporter.al.