Nëpërmjet këtij konkursi pesë (5) gazetarë investigativë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë lidhur me sektorin e energjisë, në bashkpunim me shoqërinë civile. Fituesit do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në këtë fushë.
Aplikantët e përzgjedhur, të cilët do marrin një bursë prej 1,200 USD (minus taksën të ardhurave personale), do kenë në dispozicion një periudhë tre mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.
Kandidatët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, siç janë: takimet e shpeshta me redaktorin, publikimin e tekstit në faqen e BIRN Albania www.Reporter.al dhe gjithashtu në www.BalkanInsight.com, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.
Kandidatët duhet të formulojnë një propozim të detajuar për konkursin. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimin me pushtetin, pandëshkueshmërinë dhe mungesën e zbatimit të ligjit dhe të eficencës në sektorin e energjisë.
Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, të sygjeruara si prioritare gjatë një tryeze të rrumbullakët midis gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që mbulojnë sektorin e energjisë të organizuar nga BIRN Albania më date 22 Shkurt 2016:
– Mungesa e një strategjie kmbëtare për dhënien e koncesioneve në sektorin hidroenergjetik;
– Impakti mjedisor i HEC-ve në zonat e mbrojtura;
– Mungesa e konsultimit publik për projektet energjetike;
– Dhënia e paligjshme e bonuseve për propozimet e pakërkuara për konçesione për ndërtimin e HEC-eve;
– Problematikat dhe mungesa e transparences në dhënien e lejeve minerare dhe impakti I tyre;
– Mungesa e transparencës në draftimin e ligjeve dhe politikave në fushën energjetike;
– Problematikat në menaxhim dhe borxhet e kompanive energjetike si OSHEE, KESH dhe Albpertol;
– Shitja/tregtimi në mënyrë të paligjshme në tregun shqiptar të karburanteve ndotëse, në mënyrë të veçantë e naftës D1, e cila përmban nivele të larta plumbi;
– Ricklimi i papërshtatshëm i vajrave dhe mbetjeve industrial;
– Mungesa e monitorimit të brigjeve shqiptare për shkarkimin e vajrave ose naftës nga anijet që lundrojnë në ujërat territorial;
– Roli i institucioneve ndërkombëtare në financimin e projekteve energjetike; dështime dhe suksese.
Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar pranë një media apo në profesion të lirë.
Kandidatëve u kërkohet të dërgojnë propozimet e tyre në formularin e aplikimeve (Kliko këtu për formularin), një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email në: [email protected]
Afati i Aplikimit: 15 Mars, 2016
Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen deri më datë: 20 Mars, 2016