Nëpërmjet këtij konkursi tre (3) gazetarë investigativë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e krimit të organizuar, në bashkëpunim me shoqërinë civile. Fituesit do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e krimit të organizuar.
Aplikantët e përzgjedhur, të cilët do marrin një bursë prej 1,200 USD (minus taksën të ardhurave personale), do kenë në dispozicion një periudhë tre mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.
Kandidatët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, siç janë: takimet e shpeshta me redaktorin, publikimin e tekstit në faqen e BIRN Albania www.Reporter.al dhe gjithashtu në www.BalkanInsight.com, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.
Kandidatët duhet të formulojnë një propozim të detajuar për konkursin. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e rasteve konkrete të pandëshkueshmërisë dhe mungesës së zbatimit të ligjit në sektorin e krimit të organizuar.
Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, të sygjeruara si prioritare gjatë një tryeze të rrumbullakët midis gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të organizuar nga BIRN Albania:
– Procesi i sekuestrimit të aseteve që burojnë nga aktiviteti kriminal dhe menaxhimi i tyre nga institucionet përgjegjëse;
– Trafikimi i qenieve njerëzore dhe lëndëve narkotike;
– Strukturat e krimit të organizuar dhe vrasjet me pagesë;
– Shfrytëzimi i burimeve natyrore nga krimi i organizuar;
– Pastrimi i parave;
– Efikasiteti i hetimeve proaktive të policisë dhe prokurorisë;
– Problematikat në zbardhjen ose gjykimin e ngjarjeve kriminale nga institucionet ligjzbatuese;
– Lidhjet e krimit të organizuar me biznesin ose politikën.
Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.
Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar pranë mediave të tjera apo në profesion të lirë.
Kandidatëve u kërkohet të dërgojnë propozimet e tyre në formularin e aplikimeve (Kliko këtu për formularin), një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email në: [email protected]
Afati i Aplikimit: 15 Mars, 2016
Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen deri më datë: 20 Mars, 2016