Thirrje për artikuj investigativë në fushën e Pushtetit Vendor

Posted on

Thirrja organizohet nga Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania), si pjesë e projektit të saj “Forcimi i partneritetit vendor midis medias dhe shoqërisë civile”, të mbështetur nga LëvizAlbania dhe Rockfeller Brother Fund.

Nëpërmjet këtij konkursi tre (3) gazetarë investigativë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e pushtetit vendor, në bashkëpunim me shoqërinë civile. Fituesit do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e mirëadministrimit të pushtetit vendor.

Aplikantët e përzgjedhur, të cilët do marrin një bursë prej 1,200 USD (minus taksën të ardhurave personale), do kenë në dispozicion një periudhë tre mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Kandidatët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, siç janë: takimet e shpeshta me redaktorin, publikimin e tekstit në faqen e BIRN Albania www.Reporter.al dhe gjithashtu në www.BalkanInsight.com, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të formulojnë një propozim të detajuar për konkursin. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e rasteve konkrete të korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe mungesës së zbatimit të ligjit në pushtetin vendor.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, të sygjeruara si prioritare gjatë një tryeze të rrumbullakët midis gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile të organizuar nga BIRN Albania:

–          Problematikat në riorganizimin dhe ofrimin e shërbimeve të decentralizuara dhe të barabarta ndaj të gjithë qytetarëve të bashkisë, pavarësisht zonës së banimit;

–          Problemet e shërbimit të gjendjes civile nëpër bashkitë e vogla dhe njësitë administrative;

–          Problematika në menaxhimin, mirëmbajtjen dhe furnizimin me pajisjet e nevojshme të institucioneve arsimore, shëndetësore, të zgjarrfikësave, etj;

–          Mungesë transparence në vendimmarrje, e cila mund të përfshijë mungesë të njoftimeve dhe konsultimeve publike ose moszbardhje të vendimeve nga bashkia ose këshilli bashkiak;

–          Favorizim, nepotizëm ose mungesë transparence në marrëdhënie të ndryshme kontraktuale; Kontratat me negocim ose tenderët me vetëm një konkurrent efektiv;

–          Keqmenaxhim i burimeve natyrore ose aseteve publike;

–          Ndryshime jo transparente në administratën lokale ose në emërime;

–          Raste korrupsioni ose abuzimi me pushtetin në administratën vendore.

 

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.

Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar pranë mediave të tjera apo në profesion të lirë.

Kandidatëve u kërkohet të dërgojnë propozimet e tyre në formularin e aplikimeve (Kliko këtu për formularin), një CV dhe tre shembuj të punës së tyre me email në: [email protected]

Afati i Aplikimit: 18 Dhjetor, 2016

Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen deri më datë: 25 Dhjetor, 2016