BIRN-i dëshiron të shpërblejë materialisht gazetarët që kanë shfrytëzuar dokumente të tilla për përgatitjen e artikujve të tyre.
BIRN-i ofron çmimin kryesor prej 1000 eurosh për shkrimin më të mirë të gazetarisë hulumtuese që është realizuar duke përdorur dokumente publike të nxjerra nga institucionet. Për fituesit e vendit të dytë janë paraparë 700 euro, ndërsa çmimi i tretë ka vlerën e 300 eurove.
Në këtë mënyrë BIRN-i dëshiron t’i përkrahë gazetarët, ngase ata janë në vijën e parë të frontit të luftës për transparencë në institucionet qeveritare. Kjo luftë është e vështirë. Një raport i kohëve të fundit, i publikuar nga BIRN-i, ka zbuluar se kërkesat e parashtruara në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike janë realizuar në vetëm 30 për qind të rasteve.
Andaj, shkrimi i storieve në bazë të dokumenteve publike të nxjerra ligjërisht, kërkon shumë punë dhe shumë kujdes. Madje edhe nëse kërkesat për dokumente publike nuk përmbushen, vetë akti i presionit mbi institucionet për të zbatuar obligimet e tyre ligjore përbën një vegël të rëndësishme në promovimin e kulturës së transparencës.
Nëse mëtohen përmirësime të theksuara në cilësinë e qeverisjes në Kosovë, duke filluar nga shpenzimet më efektive të parasë publike, deri te luftimi më i efektshëm i korrupsionit, është i domosdoshëm vëzhgimi më intensiv, më inteligjent dhe më i gjerë i punës së sektorit publik.
BIRN-i do të shqyrtojë storiet në shtyp, televizion, radio ose internet, të publikuara në mediume kosovare mes datave 1 gusht 2012 dhe 31 korrik 2013.
Storiet mund të jenë të shkruara në shqip, serbisht ose anglisht. Materialet e siguruara në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike duhet të jenë kyçe për hetimet e kryera për nevoja të këtyre storieve.
Konkurruesit duhet të paraqesin edhe një deklaratë të shkurtër, prej jo më shumë se 800 fjalësh, në të cilën në detaje përshkruajnë se si e kanë shfrytëzuar Ligjin për Qasje në Dokumente Publike gjatë përgatitjes së stories dhe se si materialet e siguruara përmes këtij ligji kanë qenë thelbësore për këtë storie.
Çdo material i paraqitur në konkurs do të shqyrtohet nga një panel i gazetarëve me përvojë.
Për të marrë pjesë në këtë konkurs, konkurrentët duhet të dorëzojnë storien origjinale dhe deklaratën me shkrim, jo më vonë se deri më 20 shtator 2013 në kosova@birn.eu.com. Storiet në radio dhe televizion duhet të paraqiten në formën origjinale të emituar dhe të kenë të bashkëngjitur edhe transkriptin e raportit të emituar.
BIRN-i do t’i shpallë fituesit më 28 shtator 2013, në Ditën Ndërkombëtare të së Drejtës për të Ditur.