Thirrje për Shprehje Interesi

Posted on

Forcimi i Transparencës në Procedurat e Prokurimit Publik përmes Gazetarisë Investigative

Tiranë, Maj 8-9, 2015

Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania), në kuadër të projektit ‘Forcimi i Transparencës në Procedurat e Prokurimit Publik përmes Gazetarisë Investigative’ të mbështetur nga USAID përmes Assist Impact, do të organizojë një trajnim dy-ditor mbi teknikat e gazetarisë investigative në fushën e prokurimeve publike.
Përmes kësaj thirrjeje për shprehje interesi, BIRN Albania kërkon të angazhojë 12-15 gazetarë nga të gjitha rajonet e vendit që të marrin pjesë në këtë trajnimin mbi gazetarinë investigative që do të zhvillohet më datat 8-9 Maj 2015 në Tiranë.

Prezantimi i trajnimit:

Ky trajnim dy-ditor ka për qëllim të ofrojë një guidë të metodave dhe teknikave bazë të gazetarisë investigative, si dhe njohuri më të thelluara mbi procedurat e prokurimit publik në Shqipëri. Ai synon të ngrejë njohuritë dhe aftësitë e gazetarëve për të ndjekur në mënyrë më sistemike çështjet e konfliktit të interesit, për të zbuluar fakte dhe për të prodhuar gazetari cilësore bazuar në mbledhjen dhe analizimin e fakteve dhe publikimin e dokumenteve.

Kujt i drejtohet ky trajnim:

Trajnimi i drejtohet gazetarëve shqiptarë të cilët janë të interesuar për të thelluar njohuritë e tyre mbi teknikat e gazetarisë investigative dhe procedurat e prokurimit publik. Gazetarët që punojnë në zonat jashtë Tiranës janë të inkurajuar të aplikojnë. BIRN Albania do të mbulojë kostot e udhëtimit për të gjithë pjesëmarrësit nga rrethet.

Objektivat e trajnimit:

Objektivat e trajnimit janë që pjesëmarrësit:

  1. Të thellojnë njohuritë e tyre mbi konceptet dhe parimet e gazetarisë investigative;
  2. Të përmirësojnë aplikimin e teknikave dhe metodave të gazetarisë investigative;
  3. Të thellojnë njohuritë mbi procedurat e prokurimit publik në Shqipëri.

Përmbajtja e trajnimit:

Komponentët bazë të trajnimit mbi raportimin investigativ do të jenë:

  • Artikuj investigativë bazuar në të dhëna;
  • Investigimi i individëve dhe kompanive/institucioneve;
  • Vënia në zbatim e Ligjit për të Drejtën e Informimit;
  • Teknikat e intervistimit;
  • Thellimi i njohurive mbi procedurat e prokurimit publik në Shqipëri.

Procedura e aplikimit:

Kandidatët e interesuar duhet të dërgojnë një CV dhe një letër shprehje interesi në adresën e e-mailit [email protected]. Aplikimet për këtë trajnim përfundojnë të martën, datë 5 Maj. Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen menjëherë pas kësaj date.

Mbështetje e pjesëmarrësve:

Gazetarët pjesëmarrës në këtë trajnim do të marrin pjesë në një konkurs, me anë të të cilit BIRN Albania përmes një jurie të pavarur do të përzgjedhë 6 propozime për investigime në fushën e prokurimeve publike. Këto investigime do të mbështeten financiarisht nga BIRN Albania dhe përmes mbështetjes teknike të stafit të saj do të botohen në dy mediat online: BalkanInsight.com dhe Reporter.al.