Thirrje për artikuj investigativë në fushën e edukimit

Posted on

Thirrja organizohet nga Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania), me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shipërinë, Balkan Trust for Democracy dhe National Endowment for Democracy.2014-10-24

Nëpërmjet këtij konkursi tre (3) gazetarë investigativë do të përzgjidhen për të prodhuar artikuj investigativë në fushën e edukimit, në bashkpunim me shoqërinë civile. Fituesit do të përzgjidhen nga një juri e pavarur e përbërë nga gazetarë me eksperiencë dhe ekspertë në fushën e edukimit.

Aplikantët e përzgjedhur, të cilët do marrin një bursë prej 1,200 USD ($1,080 + $120 taksë të ardhurash personale), do kenë në dispozicion një periudhë dy-mujore për të përfunduar investigimin e tyre dhe përgatitjen e artikullit për publikim.

Kandidatët fitues pritet që të angazhohen dhe të përmbushin të gjitha detyrimet në lidhje me investigimin, siç janë: takimet e shpeshta (javore) me redaktorin, publikimi i tekstit në faqen e BIRN Albania Reporter.al dhe gjithashtu në BalkanInsight.com, si dhe respektimin e standardeve të gazetarisë investigative dhe etikës profesionale.

Kandidatët duhet të formulojnë një propozim të detajuar për konkursin. Propozimet duhet të kenë për qëllim ekspozimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin, pandëshkueshmërisë dhe mungesës së zbatimit të ligjit në fushë e arsimit.

Prioritet në përzgjedhje do i kushtohet propozimeve të cilat përfshijnë një nga temat e mëposhtme, të sygjeruara si prioritare gjatë një tryeze të rrumbullakët midis gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në fushën e edukimit të organizuar nga BIRN Albania:

  • Korrupsioni dhe shkeljet ligjore në arsimin parashkollor dhe/ose parauniversitar;
  • Keqmenaxhimi i fondeve në fushën e arsimit nga institucionet lokale dhe ato qendrore;
  • Mosfunksionimi i mekanizmave publik të monitorimit dhe kontrollit të cilësisë së arsimit në nivele të ndryshme të tij;
  • Mosbarazia në akses dhe cilësi në arsim për grupe të ndryshme vulnerabël (aftësi e kufizuar, komuniteti rom, familje në nevojë, etj);
  • Problematika e burimeve njerëzore në arsim (kualifikimet e stafit arsimor, shpërndarja dhe mënyra e përzgjedhjes);
  • Keqmenaxhimi i buxhetit në arsim për infrastrukturë, materiale didaktike dhe tekste shkollore;
  • Kostot, tarifat studentore dhe menaxhimi i fondeve në arsimin universitar dhe pasuniversitar publik dhe privat;
  • Demokracia dhe vendimmarrja në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat.

Aplikantët mund të dërgojnë më shumë se një aplikim, por vetëm një propozim për kandidat do të përzgjidhet.
Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë gazetarët në Shqipëri, të punësuar apo në profesion të lirë.

Kandidatëve u kërkohet që bashkë me formularin e plotësuar të aplikimit të dërgojnë një CV, dhe tre shembuj të punës së tyre me email në: [email protected]

Afati i Aplikimit: 31 Tetor, 2014

Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen deri më datë: 5 Nëntor, 2014